Poemë e mundshme (fragmente)

 *

Ky ravgim është rrënja e fundit.

 

Ushqehem me mall që të mos ushqehem me furi

Sot isha fantazmë –

si zakonisht, vetëm se këtë mbrëmje edhe trupërisht

dyert ishin hapur dhe hyra

e padobishme të them se hapësira qe mpakur

„Gjithçka është e vdekur”, thashë

teksa më mbytnin

të gjitha ato

copëza të ndritshme

që ndonjëherë më janë e vetmja ndihmë e parë.

 

Të tjerët i ndajnë disa dhjetëvjetësha

nga ky lloj malli

që mua më mpin gjithnjë

jam një adoleshente me rrudha të gjelbra në brendësi

dhe duhet të jetë diçka e trashëguar –

nëse jo, mbetet gjithsesi një përligjje e mirë;

duket se kam trashëguar nga të dy kahet

përzierjen e ngadalësisë me shpejtësinë:

tret me vështirësi

shënjoj gjithçka

ëndërroj me shpejtësinë e dritës

me çiltërsinë e dritës

mësohem me zor e kthehem shpesh

shijoj duke zgjedhur

çdo grimë nga drita e së shkuarës

disa herë me radhë

derisa grimcat harxhohen

pastaj i jap kohë dritës të rimbushet

dhe e shijoj nga e para

në rast nevoje

e jetoj të tashmen shumë herë

mbledh të tashme të paçmueshme

i vendos mbi dritaret që të tjerëve s’u thonë asgjë

mbi shkallët e errëta

mbi ngrehinën gjithnjë e më të hirtë.

 

jam një shkallë lirike*

kujtesa është paradigma ime

asgjë s’më tradhëton

fytyrën e kam të kthjellët

jam shpirtërore, di kufijtë e rrëfimit

ky ravgim është rrënja e mbrame

 

mësoj të mërgoj

* Ka edhe kuptimet shembull, copëz, "shkallë"-njësi që është e aftë të gjykojë vlera.

 

 

*

 

Çdo fjalë

një hap i mundshëm i gabuar

mbi një truall të minuar

Lëndohemi duke u ruajtur

thellohemi secili

si mungesa e tjetrit

rrënjosemi

njëri në pritjen e tjetrit

tjetri në dëshirën e njërit

 

a nuk të duket se është bukur

si çon një jetë të pavarur

në dëshirën time

si je shndërruar

në më të shquarën ndër mungesa

e vetmja përçartje me fytyrë njeriu në shkreti

 

rrënjosemi

me çdo hap

kujdesemi për mungesën tonë

si për një vend varri

ti më vdes në ëndërr e më dhemb gjoksi

se s’kam asnjë të drejtë të të vajtoj

s’kam asnjë të drejtë të mbaj zi

dridhem të shkruaj një letër

të fanitem në ëndërr si një prani e ndritshme

pabesueshëm e durueshme

bën një hap

të brishtë, por në siguri të plotë

nuk pyes pse

gërmoj ti shkund rërën nga duart

i them vetes e bëra timen

të them po plasën minat të paktën do vijë fshirja nga faqja e dheut

më thua mos mbaj zi para kohe

 

 

*

 

Në fillim të botës u nda nga fjalët.

Tha: Fjalët mund të lindin dhe ua kam frikën.

U nda nga meloditë me vargje, nga librat dhe poemat.

Vetëm për një kohë,

tha.

Duhet të mësoj t’i bëj ballë realitetit;

çdo fjali është një perde ndarëse më tepër.

I buzëqeshi ajo ide.

Hoqi dorë nga dialogë dhe dialogë të përfytyruar.

Iu avit thelbit duke arritur të mposhtë sipërfaqen –

Ose të paktën ta shohë.

Nuk takoi askënd.

Vëzhgoi.

U bë e tëra sy.

Ngujoi kujtesën, se nuk i vlente.

Shmangu ëndërrimet, se rrezikonin ta plagosnin –

Ishin si fjalët:

krijonin varësi dhe ishin prore shtatzëna.

Vërejti: I zgjoi interesin realiteti i parmë.

Ishte paqartësisht e thënë –

Nuk qe fjala për interes, po për nevojë.

Aty nga mesi i muajit zbuloi e gëzuar:

Po shërohem, po shërohem!

Planifikonte vagëllimthi të shkruante për këtë.

(...)

Vijon në Haemus Nr. 66-70

Shqipëroi nga rumanishtja. A.-Ch. Kyçyku

Comments

Popular Posts